
Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e së hënës ndaj Spanjës sfidën e tretë dhe të fundit të grupit B, në kuadër të finaleve të Kampionatit Europian 2024 që po mbahet në Gjermani.
Një ndeshje mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo, të cilët renditen të tretët në grupin B me vetëm një pikë dhe do të kërkojnë një rezultat pozitiv nesër ndaj iberikëve, për të kaluar në raundin tjetër.
Në prag të këtij takimi që do të luhet në stadiumin “Dusseldorf Arena” në Gjermani, në ora 21:00, trajneri Silvinjo dhe kapiteni i skuadrës Berat Gjimshiti kanë dalë përpara mediave, ku kanë folur për gjendjen e ekipit, atmosferën dhe kanë treguar pritshmëritë që kanë për këtë sfidë, që e konsideruan si mjaft vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë në këto finale.
Trajneri Silvinjo vlerësoi kundërshtarin duke e konsideruar edhe si një nga skuadrat favorite për të fituar Europianin, por theksoi se Shqipëria ka shanset e saj dhe nesër do të kërkojë maksimumin për të tentuar kualifikimin.