
Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior, ka dhënë një deklaratë për shtyp pas humbjes së Shqipërisë përballë Spanjës, në një rezultat 0-1. Sylvinho u shpreh krenar për djemtë e kombëtares dhe për Shqipërinë:
“Jam krenar, për lojtarët e mi, për vendin tim. Është hera e dytë që luajmë në këtë kompeticon, e kam thënë edhe më herët. Unë me të vërtetë jam i lumtur për shtetin, federatën, të gjithë tifozët. Unë kam jetuar në Tiranë, jam trajneri i parë që ka jetuar në Tiranë një vit e gjysmë, kam zbuluar shumë lojtarë të mirë dhe pajtohem me ju që njerëzit mund të supozojnë që Italia mund të shënonte 3 gola, Kroacia 3-4 e Spanja 5 gola. Por kemi vlerësuar punën që kemi bërë, jo vetëm kemi bërë punë taktikë por edhe kemi pasur besim. Kemi besuar që mund të konkurrojmë ndaj tre skuadrave të mëdha, ndaj skuadrave që shkojnë në gjysmëfinale e finale”, u shpreh ai.