Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka uruar presidentin rus Vladimir Putin për fitoren e tij në zgjedhje gjatë një telefonate të nisur nga Turqia, njoftoi shërbimi për shtyp i Kremlinit.
Udhëheqësi turk e uroi ngrohtësisht Vladimir Putinin për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet e Presidentit të Federatës Ruse dhe i uroi atij suksese të reja në shërbimin publik për të mirën e popullit rus, thuhet në deklaratë.
Të dy palët shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar bashkëveprimin e ngushtë në interes të zhvillimit të marrëdhënieve të gjera ruso-turke. Ata diskutuan forcimin e stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë çështjet rajonale të Detit të Zi.
Nga ana e tij, Putin ka uruar Erdoganin dhe të gjithë myslimanët turq për muajin e shenjtë të Ramazanit. Dy liderët ranë dakord për vazhdimin e dialogut në forma të ndryshme.
Edhe Kina, India dhe Irani kanë uruar Putin për rizgjedhjen e tij.
Presidenti rus, Vladimir Putin, fitoi mandatin e pestë në pushtet, në një proces zgjedhor tejet të kontrolluar.
Putin ka marrë 87.32% të votave ndërsa në zgjedhje sipas Kremlinit kanë marrë pjesë mbi 70% e popullsisë. Putin me këtë mandat do të arrijë Stalinin në pushtet në krye të Kremlinit.
