Pas denoncimit të Princit Leka dhe kallëzimit penal ndaj ish-bashkëshortes së tij Elia Zaharia për veprën penale “dhunë në familje”, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal dhe ka nisur verifikimet në lidhje me publikimin e videos ku shfaqet Princ Leka, ish-bashkëshortja e tij dhe babai i kësaj të fundit Gjergj Zaharia teksa konfliktohen fizikisht.
Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se Agjencia e Mbikqyrjes Policore do kryej hetimet përkatëse. Kjo pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga Oborri Mbretëror, ku hidhen dyshime se janë shpërndarë nga Policia te persona të tretë.
Princ Leka dhe Zaharia kanë depozituar të dy kallëzime në Polici, duke pretenduar për dhunë. Për rastin Policia ka lëshuar urdhër mbrojtje për të dy. Ndërkohë janë publikuar edhe video nga përplasja që Princi dhe Zaharia kanë pasur në rezidencën e familjes mbretërorë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 5 marsit, ku Princ Leka dëshmon se ka vajtur për të takuar të bijën, por ka hasur në dhunën e ish-vjehrrit fillimisht dhe më pas të ish-bashkëshortes.
