
Java që sapo ka nisur parashikohet e nxehtë, me temperatura që arrijnë deri në 43 gradë Celsius. Por sa do të zgjasë i nxehti afrikan?
Sinoptikanja Lajda Porja tha për Klan News se deri ditën e mërkurë pritet të jemi nën dominimin e masave ajrore me origjinë afrikane, ndërsa nga e mërkura pritet një tërheqje e valës. Megjithatë temperaturat do të vijojnë të jenë të larta.
“Një tjetër javë e nxehtë. Vazhdon vala e të nxehtit. Është java e dytë që futemi drejt masave ajrore të nxehta me origjinë afrikane.
Parashikohet që sot të kemi temperatura mjaft të larta. Maksimalet do të kenë një tjetër rekord ditën e sotme.Pjesa më e madhe e qyteteve kryesore të Shqipërisë, duke filluar që nga Shkodra, Tirana, Elbasani, Fieri, Lushnja, e gjithë Ultësira Perëndimore do të shënojë 39-40 gradë. Do të ketë zona me temperatura mbi 40 gradë, të cilat sot parashikohen të jenë qarku i Beratit, Elbasanit dhe Shkodrës, ku termometri do i afrohet vlerës 41-42 gradë Celsius.
Pas ditës së mërkurë ka një tërheqje të valës, por mund të themi sërish se mbetemi me vlera ekstreme 40 gradë dhe vala do të qëndrojë të paktën përgjatë kësaj jave. Moti do të jetë i kthjellët dhe i nxehtë. Nuk ka sinjale që deri të premten të kemi reshje apo rrebeshe shiu.”