
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.
Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.
E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.
Ukraina do të jetë “në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, ka thënë Stoltenberg.
Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.Aleatët e NATO-s janë duke e kuptuar gjithnjë e më shumë se sfidat me të cilat përballen, janë të ndërthurura me rajone të tjera.